Haxhiu e ashpër ndaj vendimit të Kushtetueses: Beteja për reforma vazhdon, Byroja do të bëhet
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Byronë për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por që beteja për reforma do të vazhdojë dhe se byroja do të bëhet.
“Nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, si njëra prej çështjeve më prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ekspertë të fushës, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut, në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut kemi përfunduar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si përgjigje ndaj fenomenit që e ka gërryer për vite të tëra pasurinë publike e etikën e zyrtarit të lartë publik”, ka shkruar Haxhiu.
“Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut”.
Haxhiu ka thënë se “pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”.
“Në anën tjetër, 16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm”.
“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin e parashtruar nga Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, duke shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kërkesa për shqyrtim ishte e pranueshme njëzëri. Gjykata konstatoi se disa nene të Ligjit të kontestuar ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.