Sylvinho e përmbledh me disa fjali “Euro 2024”: Krenar për kuqezinjtë

Sylvinho e përmbledh me disa fjali “Euro 2024”: Krenar për kuqezinjtë

Dje mbasdite mbërriti në Shqipëri, bashkë me pjesën më të madhe të grupit kuqezi, pjesë e “Euro 2024”. Sylvinho u kthye në vendin e punës me vetëm një pikë të grumbulluar në tri ndeshjet e grupit B të “Euro 2024”.

Humbi ndeshjen e parë ndaj Italisë me rezultatin 2-1, kur e pamë veten në avantazh pas 23 sekondash lojë. Ai gol “rrufe” i Bajramit hyri në historinë e Kampionatit Europian si më i shpejti në histori.

Në ndeshjen e dytë ndaj kroatëve barazuam 2-2, teksa kaluam të parët në avantazh, pastaj u përmbysën brenda katër minutave, për të siguruar pikën e vetme në limitin e kohës shtesë. “Shenjti” dhe “djalli” ishte Gjasula me autogolin dhe golin e tij në “frymën e fundit”, i aktivizuar si zëvendësues.

Ndeshjen e tretë në grup e humbëm minimalisht ndaj Spanjës, e cila luajti me formacionin e dytë. Në përgjithësi kuqezinjtë tanë bënë paraqitje dinjitoze, teksa spikatën tifozët shqiptarë, dominues në të tria qytetet dhe stadiumet ku luajtëm në këtë Europian.

Tani është kohë analizash dhe bilancesh. Me siguri, nëpër këtë rrugë do të kalojë FSHF-ja, sektori i ekipeve kombëtare, trajneri Sylvinho dhe stafi i tij teknik. Trajneri ynë brazilian ka reaguar përmes rrjeteve sociale ditën e sotme, duke nënvizuar se “Shqipëria u largua më e fortë se sa mbërriti nga Kampionati Europian”.

Ja postimi i plotë i Sylvinho: “Dje mbyllëm pjesëmarrjen tonë në ‘Euro 2024’. Jam shumë krenar për atë që i treguam vetes dhe tifozëve të futbollit. Ne ishim një ekip që dhamë gjithçka deri në fund, që luftuam për çdo top, për çdo pikë. Ne ishim pasqyra e popullit shqiptar. U larguam duke u ndjerë krenarë për atë që bëmë.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ishin me ne në këtë kompeticion dhe kontribuan në performancën tonë. Faleminderit edhe tifozëve, të cilët shkëlqyen në tribunat e stadiumeve dhe na ndihmuan në këtë rrugëtim. Shqipëria largohet më e fortë nga sa mbërriti”.