Kurti tha se partitë opozitare nuk mund t’i shtyjnë zgjedhjet pafundësisht, flasin nga LDK-ja dhe AAK-ja
Opozita ka dështuar të koordinohet sa i përket rrëzimi të Qeverisë Kurti dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kësisoj, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, të hënën në një tubim të partisë së tij deklaroi se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2025 dhe se partitë opozitare nuk mund t’i shtyjë ato pafundësisht.
Deklarata e kreut të Qeverisë nxiti disa reagime, ndërsa nga subjektet opozitare pohojnë se nuk kanë frikë për të shkuar në zgjedhje.
Rrezarta Krasniqi, deputete nga radhët e LDK-së, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se partia e saj nuk ka pasur frikë për zgjedhje as në kohët më të vështira.
“Frikë nga zgjedhjet? Tashmë po dihet kush ka frikë nga zgjedhjet, ata që po bëjnë darka dhe marrëveshje të fshehta. LDK-ja nuk ka frikë sepse nuk ka pasur frikë as në kohët më të vështira. Do të dalim partia e parë sepse jemi çdo ditë në takime me qytetarët dhe për ta siguri dhe të ardhme evropiane ka vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, theksoi ajo.
Tutje, Krasniqi i ka quajtur qesharake deklaratat e kryeministrit.
“Deklaratat e Kurtit janë qesharake sepse nga frika është dorëzuar dhe pas dorëzimit është nënshtruar tek ata që me vite i ka quajtur hajdutë dhe tradhtarë”, pohoi deputetja.
Që koordinimi mes partive opozitare nuk ka qenë në nivelin më të mirë të mundur, e thotë edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj për Telegrafin tha se mocioni i partisë së tij qëndron ende i hapur.
“Ne si opozitë kemi arritur të bëjmë punën tonë, por që në të vërtetë koordinimi opozitar ska qenë në nivelet më të mira të mundura. Kemi mundur të bëjmë punë dhe rezultate më konkrete në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, por ndoshta mos puna e Qeverisë ka bërë që edhe ne të mos kemi çka të vlerësojmë, sepse për të vlerësuar një punë, projekt dhe vendim, ato së pari duhet të realizohen e pastaj ne t’i analizojmë dhe kritikojmë.
Mocioni jonë i AAK-së që të na bashkohen Partitë Opozitare dhe të gjjthë deputetët e pushtetit të cilët janë të pakënaqur me qeverisjen Qendrore, në kauzë të rrëzimit të Qeverisë, është ende i hapur dhe qëndron si ofertë. Por që deri tani ska pasur mbështetje të gjerë”, theksoi ai.
Sipas deputetit Lekaj, Qeveria po e mbyllë mandatin me regres.
“Qeveria Kurti po mbyllë mandatin 4 vjeçar, ndërsa qytetari e njeh vetëm regresin në kuptim të dorës së shtetit. Regres në ekonomi, punësim, shëndetësi, mirëqenie sociale, kushte të punës, pagën minimale, investime kapitale, eksport, investitorë të huaj, etj. Prandaj, me këto elemente, një Qeveri normale duhet ta pranonte dështimin dhe duhej të dorëhiqej, por që fatkeqësisht s’ka ndodhur deri tani, sepse po fitojnë mirë dhe keqpërdorin shumë mbi paranë publike të shtetit të Kosovës”, potencoi deputeti.
Ndryshe, kryeministri Kurti, një ditë më parë e ka mbajtur një fjalim para anëtarëve dhe simpatizantëve në kuadër të “Javës së Lëvizjes” në 19 vjetorin e themelimit.
Kurti tha se subjekti politik që ai drejton, në vitin 2025 do t’i fitojë dy palë zgjedhje, ato qendrore dhe lokale.
Qeveria Kurti pritet të jetë e para qeveri që arrin të përfundojë mandatin e plotë katër vjeçar.