Kombëtarja rikthehet në fushë, Sylvinho “shtrydh” kuqezinjtë pas humbjes në Euro 2024

Kombëtarja rikthehet në fushë, Sylvinho “shtrydh” kuqezinjtë pas humbjes në Euro 2024

Pas humbjes me Italinë, Shqipëria është rikthyer në stërvitje këtë të dielë, për ndeshjen e dytë të Europianit, atë ndaj Kroacisë, që do të mbahet me datën 19 qershor në Hamburg.

Grupi është i plotë, me trajnerin Sylvinjo që vendosi që futbollistët që luajtën mbrëmë nga minuta e parë, të përgatiten në palestër. Për rreth një orë, skuadra u fokusua në përgatitjen tekniko-taktike, ç’ka i shërbeu teknikut kuqezi për të parë disa detaje dhe natyrisht, për të mbajtur ekipin në formë.

Me siguri, ndeshja ndaj axurrëve ka bërë që Silvinjo të marrë mesazhet e duhura për disa futbollistë dhe për mënyrën sesi do funksionojë grupi në vijim. Sa i takon formacionin anti-Kroaci, është ende herët për të folur, pasi jemi disa ditë para ndeshjes.

Shqipëria synon 3 pikët ndaj Kroacisë, për t’u futur kështu në garën e kualifikimit të madh, për të provuar, pse jo, për të kaluar grupet. Edhe për përballjen ndaj të besuarve të Dalic, në Volsparkshtadion pritet një numër i madh tifozësh të kombëtares tonë.