Katër të vdekur, mes tyre një shqiptar në një aksident mes dy automjeteve në Greqi

Katër të vdekur, mes tyre një shqiptar në një aksident mes dy automjeteve në Greqi

Katër persona kanë mbetur të vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar nga përplasja e një automjeti me një autobus në Ksanthi të Greqisë.

Pesë të rinj kishin udhëtuar nga Halkida për në Ksanthi për të marrë pjesë në seminarin e një fabrike industriale. Në mbrëmje, pasi ishin argëtuar, ata ishin nisur për të shkuar në Nesto, ku të nesërmen do të shkonin në plazh, raporton Top Channel.

Automjeti ka hyrë në sens të kundërt në rrugën Ksanthi – Kavalla dhe në kilometrin e 11-të është përplasur me autobusin e kompanisë “Spyros kai Xristos Tasios OE”, i cili për koicidencë transportonte punonjës të fabrikës ku kishin shkuar të rinjtë.

Nga përplasja e fortë, automjeti është ndarë në mes dhe pjesë të tij kanë fluturuar deri në 150 metra larg.

Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë katër udhëtarë të automjetit, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi grek Georgios Oikonomidis 26 vjeç si dhe pasagjerët Diana-Ana-Maria Bobu 28 vjeçe nga Rumania, Georgia-Maria Mastori 22 vjeçe nga Greqi e Neldian Serjani 27 vjeç nga Shqipëria.

I lënduar rëndë ka mbetur pasagjeri i pestë i mjetit, Nikolaos Metoxiatis 22 vjeç nga Greqia.

Nga përplasja e fortë janë lënduar lehtë edhe drejtuesi i autobusit dhe tre pasagjerë mes të cilëve shtetasja shqiptare, Pranvera Filja 39 vjeçe nga Elbasani.