80 shtete e mbështesin “integritetin territorial” të Ukrainës në samitin për paqe në Zvicër

80 shtete e mbështesin “integritetin territorial” të Ukrainës në samitin për paqe në Zvicër

Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.

Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.

“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirjen dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratën përfundimtare, sipas AFP-së.

Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina. Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.