Berisha: Deklarata e Kurtit për sulme dëshmon se ai dhe Vuçiqi kanë lidhje kauzale, fakt se kemi skenar të koordinuar
Anëtari nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha thotë se deklarata e kryeministrit Kurti është pa sens, pasi ky i fundit tha se Milan Radojçiq është duke përgatitur sulme të reja në veri të Kosovës.
Berisha në një prononcim për GazetaBlic thotë se me deklaratën e fundit të Kurtit po dëshmohet se kemi të bëjmë me skenarë të koordinuar.
“Që nga zhvillimet e shtatorit asgjë s’ka ndryshuar në raportet politike dhe të sigurisë. Në shtator u deklarua se Radojçiqin e kanë neutralizuar. Kështu që deklarata e Kurtit është pa sens, çfarë mund të bëj një person i neutralizuar”, tha Berisha.
“Deklarimi i kryeministrit, dëshmon faktin se kemi të bëjmë me skenare të koordinuar, ngase më parë thonin se sulmi i 24 shtatorit ka pas qëllim me shkëput veriun, e kësaj radhe kryeministri Kurti deklaroi se Radojçiqi e paska për qëllim ta marrë vetëm vilën e tij, a thua se do ta ngarkojë në kamion dhe e çon në Rashkëe Prokuple”, tha Berisha.
Berisha e sheh shqetësues faktin se kryeministri Kurti në deklarimet e tij nuk po e akuzon Vuçiqin dhe Serbinë për këto sulme që po përgatiten.
“Më shqetësues është fakti se kryeministri në deklarimet e tij nuk po e akuzon Vuçiqin dhe Serbinë për këto sulme. Përkundrazi, ai me këto deklarata po amniston shtetin e Serbisë dhe Vuçiqin”, tha Berisha.
Berisha vazhdon të besojë se ka lidhje kauzale mes Kurtit dhe Vuçiqit, teksa nuk e përjashton mundësinë për sulme të reja.
“Me këtë po vërtetohen pretendimet e mia se ka lidhje kauzale në mes Vuçiqit dhe Kurtit, të cilat sollën sulmin terrorist të 24 shtatorit. Natyrisht se mund të priten edhe sulme të tjera terroriste”, tha Berisha.
“Krejt këto mund të ndodhin me qëllim të krijim të rrethanave tensionuese për arsyetimin e implementimit të marrëveshjeve të dëmshme për vendin si ajo e Brukselit, Aneksi i Ohrit dhe Asociacioni”, shtoi ai.
Berisha thotë se ekziston edhe një motiv tjetër i deklarimeve të Kurtit.
“Motiv tjetër i deklarimeve të Kurtit mund të vijnë pas dështimit të plotë në qeverisje dhe dëshiron ta mbajnë popullin nën tension të luftës që ta ruaj pushtetin. Këto sjellje janë tipike të diktaturave. Kështu e kanë mbajtë pushtetin liderët komunist e fashist”, tha Berisha