Kuvendi mbajti seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Kuvendi mbajti seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Seanca nisi me këndimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar, si dhe me një minutë heshtje për të gjithë të rënët në luftën e viteve 1998-’99.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në seancën solemne, tha se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte “triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sot e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar së bashku me aleatët tanë, njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se shteti serb kishte “vetëm një synim: shfarosja e një populli të tërë” nga territori dhe përmes krimeve të cilat “morën përmasën e gjenocidit”.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me këtë rast, ndër të tjera, tha se shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe social kulturor edhe sot, “në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike dhe mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.