“Trepça” kërkon kthimin e pronave të paluajtshme, jep afat 30 ditë
Ndërmarrja “Trepça Sh.A” ka kërkuar kthimin e pronave të tyre të paluajtshme.
Sipas njoftimit thuhet se menaxhmenti i ndërmarrjes ka ndërmarrë hapa për të siguruar dëshmi të pronësisë dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim nga të gjitha subjektet.
“Menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e saj drejt një gjiganti ekonomik. Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e ‘shoqërisë’ ”, thuhet në njoftim.
Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” u ka drejtuar një kërkesë publike të gjitha subjekteve juridike dhe fizike, organizatave të shoqërisë civile dhe subjekteve të tjera që aktualisht sipas tyre, po shfrytëzojnë pronat e paluajtshme të ndërmarrjes, që brenda një afati 30-ditor, deri më 10 korrik, të kontaktojnë zyrat e menaxhmentit në Parkun Industrial në Mitrovicë.
“Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja. Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave, në rend të parë kthimin e pronave tek pronari, Menaxhmenti i ‘Trepça Sh.A.’ ka vendosur që t’i drejtohet opinionit publik me një kërkesë”, thuhet në njoftimin zyrtar.