Krasniqi për gala koncertin në Marinë: Kumboi refreni i përjetshëm i lirisë
Të hënën më 10 qershor, në Marinë të Skenderajt, është mbajtur gala koncert për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Prezent në Gala Koncertin e mbajtur ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Memli Krasniqi dhe bashkëshortet e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen e gjykohen në Hagë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe të tjerë.
Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se historia e lavdishme dhe ëndrra e së ardhmes u bënë bashkë me simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.
Postimi i plotë:
Mbrëmë, mes bukurisë së qetë të Marinës së Skenderajt, historia jonë e lavdishme dhe ëndrrat e së ardhmes u bënë bashkë në një simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.
Teksa u mblodhëm për të shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në vendin ku prehen përjetësisht më të merituarit e lirisë tonë – dëshmorët tanë, emocionet ishin të shumta.
Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të skenës së ngritur me shije dhe elegancë, bënte që secili zë që ngjitej aty – të dukej sikur vinte nga vetë shpirti i kombit tonë.
Nga meloditë emocionuese e deri te interpretimet që preknin zemrën, çdo moment ishte i mbushur me thelbin e rrugëtimit tonë kolektiv.
Nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjët tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në atë hapësirë të shenjtë, mbrëmë kumboi refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi.
Derisa i dhamë lamtumirën natës, ishte mëse e natyrshme t’ia rikujtojmë vetes se e kemi për obligim që të mbartim pishtarin e lirisë të ndezur në zemrat tona, të vetëdijshëm se udhëtimi ynë është larg përfundimit.
Në fakt, udhëtimi ynë për të realizuar ëndrrat dhe amanetin e dëshmorëve tanë, është ende në fillim.
Faleminderit organizatorëve, posaçërisht mikut tonë amerikan, Benito Mares, për këtë koncert të mrekullueshëm.
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë!