Brajan Gruda nuk do të jetë në Euro 2024, pëson dëmtim dhe largohet nga kampi i Gjermanisë
Brajan Gruda, i cili ishte ftuar nga Julian Nagelsmann u largua të mërkurën nga kampi përgatitor i Gjermanisë, pasi ka pësuar një dëmtim muskulor.
Futbollisti i Mainzit u largua për shkak të lëndimit, njofton Federata e Futbollit të Gjermanisë, ku Gruda ishte nga dita e parë në përgatitje me Gjermaninë.
Gjermania të enjten udhëton për në Monchengladbach, ku të premten nga ora 20:45 e luan ndeshjen e fundit miqësore ndaj Greqisë.
Gruda shihej si potencial për t’u përfshirë në ekipin e Gjermanisë për “Euro 2024”, por lëndimi ka bërë që ai të largohet para kohe nga kampi gjerman.
19-vjeçari në 28 ndeshje në Bundesligë ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë, ndërsa me Mainzin ka kontratë deri në vitin 2026.
Kartoni i Grudës vlerësohet rreth 20 milionë euro, ndërsa Bayern Munich ka shprehur interesim për shërbimet e tij.