Zeka: Kosova s’mund të ketë investime të huaja direkte pa normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Zeka: Kosova s’mund të ketë investime të huaja direkte pa normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Pa normalizim e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe implementim të marrëveshjeve, Kosova nuk mund të shpresoj për investime serioze të huaja direkte, kështu ka theksuar kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka për Ekonomia Online.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vënë në pikëpyetje seriozitetin e qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtës së raporteve të veçanta me ShBA-në, krejt kjo sipas tij, për shkak të mos zbatimit të zotimeve të cilat qeveria e Kosovës i ka marr para partnerëve ndërkombëtar.

Zeka ka thënë se qeveria e Kosovës si shkak i mos zbatimit të zotimeve të saja ka pasur krisje të raporteve jo vetëm me ShBA-në por edhe vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Mendoj që kjo krisje e raporteve nuk ndodh vetëm me SHBA, ndodhë edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe BE-në. Për të rikujtuar, Kosova momentalisht u nënshtrohet sanksioneve ose masave ndëshkimore të vena nga BE-ja. Në disa shkresa, ose paraqitje, ose deklarata të zyrtarëve më të lartë të SHBA-së realisht është vënë në pikëpyetje serioziteti i qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtës së raporteve të veçanta me SHBA-të dhe krejt kjo vijnë për shkak të mos zbatimit të zotimeve të cilat qeveria e Kosovës i ka marr para partnerëve ndërkombëtar që në masa të madhe kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve me Serbinë. Ekziston një korrelacion direkt ndërmjet këtij problemi të hapur, ndërmjet mos realizimit të normalizimit të raporteve me Serbinë edhe që pengon pastaj edhe zhvillimi në rrafshin ekonomik. Edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte”.