Siri, oficeri iranian vritet në një sulm të dyshuar izraelit
Një oficer iranian u vra nga sulmet e dyshuara ajrore të Izraelit, pranë qytetit sirian të Alepos.
Saeed Abyar, anëtar i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), ishte një nga 17 personat e vrarë në sulmin e 3 qershorit, njoftoi agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në.
As IRGC-ja, as Qeveria iraniane nuk e komentuan zyrtarisht sulmin pranë Alepos.
Megjithatë, ministri i përkohshëm i Punëve të Jashtme të Iranit, Ali Baqeri Kani, arriti në Siri më 4 qershor, pas qëndrimit në Liban një ditë më parë.
Abyar është oficeri i parë i IRGC-së që vritet në një sulm të dyshuar izraelit që nga 1 prilli.
Në atë ditë, sulmet në kompleksin e Ambasadës iraniane në Damask lanë të vrarë shtatë anëtarë të IRGC-së, përfshirë dy gjeneralë.
Irani u përgjigj me një sulm të paprecedentë me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe kërcënoi se do të hakmerret ndaj çdo sulmi tjetër, që ka në shënjestër interesat e tij në rajon.
Teherani ka një prani të madhe ushtarake në Siri, ku Izraeli, kohë pas kohe, kryen sulme kundër lokacioneve të lidhura me Iranin.