Forumi ekonomik Kosovë-Turqi u ndoq nga 200 biznese, potencial i fortë i bashkëpunimit

Forumi ekonomik Kosovë-Turqi u ndoq nga 200 biznese, potencial i fortë i bashkëpunimit

Nën organizimin nga Oda Ekonomike e Izmirit dhe Shoqata Kosovare për Arsim u organizua forumi ekonomik “Ditët e biznesit kosovar”.

Ngjarja u ndoq nga afro 200 biznese nga Izmiri, duke treguar potencialin e fortë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

“Ne shprehim falënderimet tona të sinqerta për përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Izmirit, Shoqatës Kosovare për Kulturë dhe Edukim për mbështetjen dhe kontributet e tyre të paçmueshme. Pjesëmarrja e një numri kaq të madh biznesesh është një konfirmim i qartë i gatishmërisë dhe entuziazmit për të bashkëpunuar me vendin e të parëve”, ka thënë kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ndërkaq Besim Mustafa, drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ka bërë me dije se u zhvilluan diskutime të frytshme me komunitetin e biznesit të Izmirit, duke theksuar mundësitë për investime dhe bashkëpunim në sektorë të ndryshëm si energjia, miniera dhe prodhimi.

“Kompanitë e biznesit nga Izmiri bënë shumë pyetje rreth mundësive të investimit në Kosovë, duke treguar një interes të madh për të eksploruar këto mundësi më tej. Paraprakisht, këtij diskutimi i parapriu prezantimi mbi promovimin e Kosovës dhe mundësitë që jep ky vend”, ka thënë Mustafa.

Në fund të forumit ekonomik në Izmir, të gjithë ranë dakord për të organizuar një vizitë të bizneseve nga Izmiri në Kosovë, duke forcuar më tej lidhjet tona dhe duke eksploruar mundësi të reja për bashkëpunim.