Ejupi: Federata na la pa fushë e pa rezultate, veç Ballkani na e zbardhi fytyrën
Ish-presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi ka bërë një reagim të gjatë për futbollin kosovar gjatë vitit 2023. Ai vuri në theks infrastrukturën e keqe të stadiumeve në Kosovë, shkruan Gazeta Express. Ejupi përmendi edhe stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili u detyrua t’i nënshtrohej renovimit të plotë.
Reagimi i plotë i Remzi Ejupit, pa ndërhyrje:
Viti 2023 e shpërfaqi edhe një herë gjendjen e mjerueshme të futbollit kosovar.
Infrastruktura vazhdon të mbetet njëra prej pikave më të dobëta ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga paslufta.
Fillimisht me lloç e më pas edhe me borë, u bëmë gaz i botës në muajt e fundit.
Gjendja e rëndë e fushave të futbollit reflektoi edhe në ndeshjet ndërkombëtare.
Stadiumi i pa mirëmbajtur “Fadil Vokrri” u bë i papërdorshëm dhe Kombëtarja e Kosovës do të jetë e detyruar të shtegtojë jashtë vendit në pjesën e parë të vitit 2024 derisa të bëhet renovimi i fushës.
Edhe krenaria e futbollit tonë, Ballkani u detyrua të gjente “strehë” diku tjetër në ndeshjen e fundit si vendës ndaj Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës.
Ah sa me qejf do ta shikoja në “Fadil Vokrri” atë ndeshje evropiane të Ballkanit, të vetmit klub që na e ka dhënë shansin e madh që të mos ndihemi inferiorë ndaj klubeve evropiane.
Klubit që po na bën krenarë dhe që po na e zbardh fytyrën kudo, duke e shkruar e rishkruar historinë.
Një ekip që nuk ndihet inferior ndaj askujt, që u bën ballë edhe klubeve të mëdhenj e të njohur si Dinamo Zagreb.
Një skuadër në suksesin e së cilës kemi hise edhe ne si FC Prishtinë, pasi kontribuuam në ndërtimin e saj, sepse aty barrën kryesore e bajnë ish-lojtarët tanë si Armend Thaçi, Meriton Korenica, Lumbardh Dellova apo edhe Qëndrim Zyba, të cilët njëherësh po i shfaqin vlerat e tyre edhe në Kombëtaren e Kosovës.
Por, është fat i keq për mua dhe për shumë tifozë që këtë barazi dhe nivelizim me skuadrat evropiane që na e dhuroi super-skuadra e ndërtuar nga djemtë e Suharekës, nuk mundëm ta shijonim nga afër në stadium pak javë më parë.
Inferiorët që i tremb çdokush që bëhet superior, nuk ua mundësuan asnjë fushë ku të luanin kampionët, e as ne tifozëve që ta shijonim nga tribunat lojën e tyre ndaj Viktoria Plzenit.
Futbollin kosovar e ka mbuluar balta dhe bora dhe këtij tuneli të zi s’po i shihet fundi, futbolli i këtushëm s’po sheh dritë…
Nuk mundën apo nuk deshën t’i bënin zgjidhje dhe qare kampionit!?
Mendoj se drejtuesve të futbollit kosovar do t’ju vriste sytë suksesi i dikujt tjetër, e ku nuk janë vetë ata protagonistë.
Këta njerëz pa ndjenja na kanë borxh neve kënaqësinë që ta shihnim gjënë më të bukur të futbollit tonë, lojën e atyre SUPERIORËVE, të cilëve ua kanë borxh 500 mijë euro.
Kaq para do t’i fitonte skuadra nga Suhareka nëse do të luante në Prishtinë me stadiumin plot dhe me mundësi shumë më të mëdha për të fituar, para ndeshjes së fundmit me Dinamo Zagrebin.
Gjithashtu, do t’i afrohej edhe suksesit historik për ta kaluar fazën e grupeve, me ç’rast do ta mbushte konton edhe me miliona euro të tjera.
A ju vjen marre o të paaftë?
Sa më shumë që pasurohet një skuadër, aq më shumë zvogëlohet Federata, mendojnë inferiorët, dhe kjo iu dhemb dhe i tremb gjithsesi.
Po, sepse kreu i Federatës është mësuar t’i ketë nën kontroll pjesën dërrmuese të klubeve.
Atij i pengon dhe i futet frika në palcë kur një klub bëhet madhështor dhe ia merr anën dhe famën.
Ne të gjithëve do të na gëzojnë fitoret dhe sukseset e Ballkanit, pasi ky klub është i të gjithëve.
Sukseset e Ballkanit mund të na sjellin veç hair dhe dobi, pasi do të ngritej niveli i futbollit kosovar dhe koeficienti i tij në UEFA, kështu që do të kishim mundësi të përfaqësoheshim me më shumë skuadra në Evropë dhe do t’i nisnim garat më lartë se zakonisht.
Por, kjo Federatë inferiore dhe e mbuluar me lloç, realisht mërzitet karshi suksesit të dikujt tjetër, ndërsa vazhdojmë të jemi pa selektor e me përçarje e zhgënjime e dëshpërime brenda kampit Dardan.
Krerët e saj i duan të gjithë të varur nga ta sepse vetëm kështu do ta jetojnë paqen, qetësinë dhe “luksin” për të vjedhur e për të abuzuar.