MD konfirmon se Belgjika i kontaktoi për marrëveshje për burgje si me Danimarkën
Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se pas marrëveshjes me Danimarkën, edhe Belgjika i ka kontaktuar për marrëveshje të ngjashme. Por, ka lënë të kuptohet se i janë përgjigjur negativisht, duke thënë se marrëveshje të tilla s’janë në planin e tyre.
Marrëveshja e lidhur me Danimarkën për qelitë më qira, duket se do të mbetet e vetmja e këtij lloji që Kosova ka lidhur me ndonjë shtet.
Nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se janë kontaktuar nga Belgjika për marrëveshje të ngjashme, mirëpo marrëveshje të tilla nuk janë në planin e tyre.
“Sa i përket Belgjikës, ky shtet ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë duke shprehur interesim për lidhje të marrëveshjes por që ne nuk kemi plan që të adresojmë marrëveshje të tilla në të ardhmen”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me marrëveshjen që tashmë është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, e cila i jep Mbretërisë së Danimarkës në shfrytëzim Burgun e Gjilanit, Ministria thotë se kjo është bërë shkaku i mbështetjes dhe zotimeve nga qeveritë paraprake.
“Sa i përket Danimarkës, Kosova ka adresuar Marrëveshjen për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës dhe për shkak të zotimeve që i kanë dhënë qeveritë paraprake”, thuhet në përgjigje.
Kjo ide ishte hedhur në diskutim në Belgjikë javë më parë nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Theo Francken nga partia N-VA.
Kundër kësaj ideje kishte dalë Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, i cili e ka cilësuar si “propozim të çmendur”, mirëpo pavarësisht kësaj, ky shtet ka shprehur edhe zyrtarisht interesim për një marrëveshje të tillë.
Kjo marrëveshje është përmendur si model edhe në Austri, gjatë një takimi të Ministrit të Brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner, me homologun e tij danez, Peter Hummelgaard, në një konferencë për migracionin.
Por, MD mohon se do të ketë ndonjë marrëveshje mes Prishtinës e Vjenës.
“Sa i përket lajmit për Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Austrisë për të burgosurit, ju informojmë se një gjë e tillë nuk qëndron”.
Se edhe shtete tjera kanë shprehur interesim për marrëveshje të tilla, e kishte zbuluar vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një seanca të Kuvendit ku ishte në rend dite miratimi i marrëveshjes me Danimarkën, mirëpo pa zbuluar se nga cilat.
Këtë deklaratë Haxhiu e kishte bërë pasi deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, e kishte pyetur nëse kjo do të jetë marrëveshja e fundit e tillë që bën Kosova.
“Sa i përket asaj se a do të ndalet Kosova me këtë marrëveshje, mua më duhet të bëhem e sinqertë. Pas kësaj marrëveëshje, ka pasur edhe vende të tjera që kanë kërkuar të bëjmë marrëveshje të njëjta, mirëpo ne nuk kemi pranuar. Ky është qëndrimi i Kosovës tani për tani, sepse konsiderojmë që e kemi këtë”, kishte thënë Haxhiu.
Për traktatin me Mbretërinë e Danimarkës, Haxhiu kishte thënë se është bërë bërë që të mos prishen raportet dhe shkaku i mbështetjes që Danimarka i ka dhënë vendit në procese të ndryshme, duke theksuar atë për Këshillin e Evropës ku vendi synon të anëtarësohet.
“…që të mos i prishim marrëdhëniet me Mbretërinë e Danimarkës për shkak të mbështetjes që Mbretëria e Danimarkës na ka dhënë në procese të ndryshme, përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës, ku ne pretendojmë që të anëtarësohemi. Kemi konsideruar që është e rëndësishme që ta vazhdojmë, mos ta ndërpresim këtë dakordim që e kishte bërë Qeveria paraprake”, kishte deklaruar Ministrja.
Marrëveshja me Danimarkën është ratifikuar tek javën e kaluar, pas shumë muajsh zvarritje.
Traktati për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Danimarkës në Republikën e Kosovës me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është nënshkruar më 26 prill të vitit 2022.
Kosova dhe Danimarka kishin arritur një marrëveshje, me të cilën Danimarka dërgon 300 të burgosur për ta vuajtur dënimin në Kosovë. Vlera e marrëveshjes është 210 milionë euro, derisa marrëveshja është e vlefshme për dhjetë vjet.
Haxhiu kishte bërë me dije se asnjë prej këtyre personave, pas përfundimit të dënimit, s’do të qëndrojnë në Kosovë.
“Asnjë prej këtyre personave nuk do të qëndrojnë në Republikën e Kosovës. Ne do t’i transfmerojmë në aeroport dhe pastaj përgjegjësinë e merr Qeveria daneze. Ne nuk kemi pune me vendet e treta, por vetëm me Mbretërinë Daneze. Ata merren me vizitat familjare e të tjerat”, kishte deklaruar Haxhiu.
Ata do të vuajnë dënimin në Burgun e Gjilanit, i cili është duke u renovuar sipas kritereve daneze.
Për renovimin e burgut të Gjilanit, Haxhiu kishte bërë me dije do të shpenzohet deri në 5 milionë euro, por kishte thënë se pastaj Danimarka do t’i kthej në buxhetin e Republikës së Kosovës këto mjete.