“Qe një vit s’u emërua anëtari nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional, shkelësit e ligjit të japin përgjegjësi”

“Qe një vit s’u emërua anëtari nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional, shkelësit e ligjit të japin përgjegjësi”

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është bërë një vit që kur Bordi i Trustit Pensional ka mbetur pa anëtarin nga sindikatat. Ai thotë se kjo përbën shkelje ligjore dhe se duhet të mbahen përgjegjës ata që shkelën ligjin.

“Mosemërimi për gati një vit i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kalojë pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit”.

Hoti thotë se të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi.

“Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë. Fillimisht, Trusti u la pa bord për disa muaj, ku për pasojë miliarda euro mbetën pa menaxhim adekuat. Kur u emërua bordi para gati një viti, nuk u përfshi edhe anëtari nga sindikatat. Arsyet që u dhanë për këtë ishin se asnjëri nga aplikantët nuk i plotësonte kushtet ligjore. Nga ajo kohë nuk është rishpallur konkursi”.

Përgjegjës për këtë neglizhencë, Hoti thotë se janë Guvernatori i BQK-së, Ministri i Financave dhe Auditorja e Përgjithshmme.

“Këta tre zyrtarë të lartë të shtetit, që përfaqësojnë shtyllat e institucioneve që menaxhojnë e mbikëqyrin çështjet ekonomike e financiare në Kosovë, e kanë neglizhuar obligimin e tyre ligjor që punëtorët të kenë përfaqësuesin e tyre në Bordin e që menaxhon kursimet e tyre pensionale.

Hoti thotë se kjo neglizhencë “nuk ka si të mos jetë e qëllimshme”, derisa shton se sindikatat janë neglizhuar gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie.

“Ato nuk janë marrë parasysh në përgatitjen e ligjit të pagave, e as të ligjit për zyrtarët publikë. Të dyja këto ligje kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dashur të ndryshohen. Gjatë mandatit të kësaj qeverie, e cila veten e quan të majtë, ka rënë organizimi sindikal. Kjo dëshmohet nga përgjysmimi i pagesave të anëtarësisë në sindikata, që ka ardhur nga presioni i qeverisë ndaj sindikatave në nivele të ndryshme të organizimit sindikal dhe në forma të ndryshme. Sindikatat sot kanë të drejtë të padisin shtetin dhe këta tre zyrtarë për shkelje të ligjit. Neglizhenca për zbatim të ligjit është shkelje e ligjit, dhe shkelja e ligjit është vepër penale”.