Diplomati austriak në Hagë: Nuk dinim për strukturën e UÇK-së më 1998, amerikanët e cilësonin si të shpërndarë
Diplomati austriak, Jan Kickert, në dëshminë e tij në Speciale, ka thënë se dinin shumë pak për strukturën e UÇK-së. Kickert, i cili ka punuar si diplomat në Beograd, ka thënë se amerikanët u kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë. Po ashtu, ai ka thënë se kishin ndjesinë se zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë.
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Jan Kickert, i cili mban kodin “W02144” në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit.
Në dëshminë e tij, Kickert, i cili ka punuar në Beograd si diplomat austriak, ka thënë se ata dinin shumë pak për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka pohuar se amerikanët u kishin thënë se kjo pjesë ishte misterioze, por që kishin përshtypje se ishte strukturë horizontale dhe e shpërndarë.
Këtë deklaratë, dëshmitari Kickert e ka bërë pasi avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ia ka prezantuar një kabllogram të 27 qershorit 1998, të cilin vetë dëshmitari e kishte shkruar.
“Keni shkruar: Struktura komanduese e UÇK-së ngelet si diçka misterioze sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA). Megjithëse, UÇK-ja vepron duke përdorë emër si shtabi i përgjithshëm e në pamjen e Shteteve të Bashkuara është një strukturë e shpërndarë horizontale dhe struktura koordinimi. Kjo do të ishte problematike për të përfshirë UÇK-në në politikë. A ju kujtohet nga ku ju ka ardhur ky informacion?”, ka pyetur Mishetiqi, shkrun Betimi për Drejtësi.
Por, dëshmitari ka thënë se kjo gjë ishte thënë në takimin e Grupit të Kontaktit. “Ka ardhur nga amerikanët. Nuk e di kush ishte i pranishëm gjatë takimit. Në qoftë se mund të shoh titullin e raportit pak më sipër ishte takim i Grupit të Kontaktit të misioneve. Ndoshta ka qenë ambasadori amerikan, zëvendësambasadori që e ka dhënë këtë informatë”, ka thënë Kickert.
Sipas tij, mund të ketë qenë edhe ndonjë atashe ushtarake, ndërsa ka thënë se vëzhguesit e Bashkimit Evropian (BE) kishin përvoja të ndryshme me anëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme.
“Ne nuk dinim shumë, pak fare. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresivë, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë”, ka thënë ai.
Më tutje, Kickert ka theksuar se kishte ndjesinë se zonat e ndryshme të UÇK-së nuk e kishin strukturën e njëjtë. “Në atë kohë, ndjenja ime ishte që ishte një qendër në rajonin e Drenicës, por jo që detyrimisht UÇK-ja në pjesën perëndimore të Kosovës, në zonën e Dukagjinit për shembull ishte në të njëjtën strukturë apo e centralizuar në të njëjtën strukturë”, ka thënë Kickert.
Përpara kësaj, dëshmitari ka thënë se nuk kanë qenë shumë të interesuar për strukturën e UÇK-së në verën e vitit 1998, por interesi i tyre ishte që të gjenin dikë që ta përfshinin në proceset politike.
Diplomati Kickert ka pohuar se në verën e vitit 1998 është takuar me diplomatin Richard Holbrooke dhe që në njërin prej këtyre takimeve kishte thënë që nuk dihej nëse UÇK-ja kishte ndonjë zinxhirë të brendshëm komandues. “Besoj që amerikanët kishin më shumë informacione inteligjencë sesa ne. Amerikanët kishin një prani në Prishtinë, kishin edhe një shërbim të informacionit të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, që ne evropianët nuk kemi pasur prani të vazhdueshme atje. Kështu, që si e kemi kuptuar situatën ne atëherë ishte që prezenca apo prania e Shteteve të Bashkuara përfshinte edhe pjesën e informacionit inteligjent ose informimit në përgjithësi”, ka thënë dëshmitari Kickert.