Opozita s’pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës s’pritet të gjejnë gjuhë të përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit, që do të mundësonte dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Në partinë më të madhe opozitare, PDK, thonë se vetëshkarkimi i deputetëve është zgjidhja më e mundshme në rrethanat aktuale politike, ndërkaq në LDK dhe AAK këmbëngulin se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm përmes dorëheqjes apo shkarkimit të qeverisë Kurti.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë se do të vazhdojnë përpjekjet për të bindur LDK-në dhe AAK-në që të mbështesin idenë e shpërndarjes së Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Ajo thekson se s’kanë shtiza për opozitën, por synojnë të unifikohen për ta dërguar vendin sa më shpejtë në zgjedhje.
“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para se të takohet me kryeministrin Kurti është takuar edhe me kryetarin e LDK-së dhe AAK-së. Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe kjo do të jetë një agjendë e jona e përbashkët, pasi ne të gjithë po pajtohemi se kjo qeveri është e gabuar dhe vendi nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit”, thotë ajo.