NYT: Grenelli i kishte propozuar Trumpit ta vizitonte Thaçin në Hagë, por ai refuzoi

NYT: Grenelli i kishte propozuar Trumpit ta vizitonte Thaçin në Hagë, por ai refuzoi

Gazeta më e madhe amerikane, The New York Times, së fundmi ka publikuar një artikull të gjatë për Richard Grenell dhe karrierën e tij politike.

Më saktë, artikulli flet për karrierën e Grenellit gjatë kohës kur në krye të SHBA-së ishte ish-presidenti Donald Trump.

Teksti fillon me ambiciet e Grenellit për t’u bërë Sekretar i Shtetit, nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale.

Bëhet e ditur se gjatë kohës që Trump e zotëronte presidencën amerikane, Grenell ka ushtruar pozita të ndryshme në kabinetin e tij, nga i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, deri te ushtruesi i detyrës së Shefit të Agjencisë së Inteligjencës së SHBA-së.

Në disa paragrafë mjaft interesantë të artikullit flitet edhe për Kosovën, përcjell Telegrafi.

Sipas shkrimit të NYT, Grenell i kishte kërkuar Trumpit t’i bashkohej atij në një vizitë te ish-presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.

Por, siç thekson gazeta, Trump nuk është pajtuar me propozimin e Grenellit.

Aty përmendet edhe koha kur Grenelli tentonte të arrinte paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në fund të vitit 2020, i etur për një grusht shteti diplomatik në ditët e fundit para zgjedhjeve presidenciale, Trump e dërgoi Grenellin në një mision që thuhet të ketë turbulluar diplomatët perëndimorë: Për ta nxitur Serbinë ta njohë Kosovën”.

Shkrimi i NYT përfundon me kohën kur i dërguari special propozoi riemërtimin e Liqenit të Ujmanit si “Liqeni Trump”.

“I sigurt për një marrëveshje, z. Grenell propozoi riemërtimin e një rezervuari industrial që lidh Kosovën dhe Serbinë në ‘Liqeni Trump’ për të përkujtuar arritjet e tij. Por negociatat dështuan pasi Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë njoftoi planet për të paditur zotin Thaçi, presidentin e Kosovës. Serbët dhe shqiptarët në Kosovë, gjithnjë e më të përçarë, ende e quajnë liqenin me dy emra të ndryshëm, asnjëri prej të cilëve nuk është Trump”.