Kurti: Që një socialdemokrat të normalizojë marrëdhëniet me një autokrat, nuk është ekuacion i lehtë
Kryeministri Albin Kurti tha se demokratët evropianë po e kushtëzojnë Kosovën që, në mënyrë që të avancojë në forume ndërkombëtare, të normalizojë raportet me Serbinë.
Kjo, sipas Kurtit, nuk është demokraci.
Kështu u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar gjatë një bisede me Shefen Ekzekutive të ODI, Sara Pantuliano në Londër.
“Besoj se sikur të mos kishte disa nga tensionet gjeopolitike, në një rend perfekt, paqësor dhe të drejtë ndërkombëtar, Kosova do të ishte e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk po ndodh sepse shpesh për të avancuar në forume ndërkombëtare, kushtëzohemi me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, dhe kjo nuk është demokraci. Që një socialdemokrat të normalizojë marrëdhëniet me një autokrat në mënyrë që të pranohet nga demokratët evropianë, nuk është ekuacion i lehtë”, deklaroi Kurti.
Më tej, kryeministri përmendi edhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, shtetet anëtare të të cilave e njohin Kosovën, por edhe ato që nuk e njohin.
“Kosova, sipas IRI, është e para nga shtetet ballkanike për sa i përket orientimit drejt BE-së, NATO-së dhe demokracive perëndimore në përgjithësi. Nuk është çudi që të gjitha shtetet e G7 na njohin neve, dhe fatkeqësisht asnjë nga BRICS, 28 nga 32 shtete anëtare të NATO-s e njohin Kosovën, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së, dhe kemi bërë shumë progres në këto vitet e fundit. Megjithatë, besoj se NATO dhe BE-ja janë në një fazë të re ku zgjerimi nuk është tabu, jo vetëm për shkak të Finlandës dhe Suedisë, por në përgjithësi. Dhe mendoj se kjo është dekada kur ne duhet të pranohemi te to. Është gjeopolitike, por edhe e bazuar në merita. Vendet që punojnë shumë dhe i bëjnë detyrat e shtëpisë, duhet të pranohen”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.