Mbahet Asambleja e 6-të e Rinisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Mbahet Asambleja e 6-të e Rinisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Me temën “Rinia, Paqja dhe Siguria në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, ka filluar punimet Asambleja e 6-të e Rinisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ngjarja këtë vit do të ofrojë një platformë për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që lidhen me ndikimin e Inteligjencës Artificiale dhe teknologjive të reja tek të gjithë sferat e jetës, arsimi, infrastruktura e biznesi, siguria publike dhe qeverisja, ka njoftuar MKRS-ja.

Pjesëmarrës janë 130 aktivistë të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë dhe 25 aktivistë të rinj nga Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe ekspertë dhe folës me ndikim nga rajoni e bota.

Në hapje të kësaj asambleje fjalë rasti mbajtën zëvendësministrja Daulina Osmani, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Zadeh dhe shef i Zyrës së Koordinatorëve të Përhershëm në Kombet e Bashkuara, Lorik Pustina.

Asambleja e 6-të Rinore e OKB-së organizohet nga Misioni i OKB-së në Kosovë, ndërsa Ministria e Kulturës është partnere e kësaj ngjarje.