Presidenti Ademi uron Ballkanin për triumfin në Kupën e Kosovës

Presidenti Ademi uron Ballkanin për triumfin në Kupën e Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka uruar Ballkanin ps triumfit në garën e Kupës së Kosovës.

“Një përgëzim i veçantë shkon për drejtuesit e klubit, stafin e palodhur, futbollistët dhe të gjithë qytetarët e Suharekës që për herë të parë i gëzohen trofeut të Kupës së Kosovës”, ka thënë Ademi.

Urimi i plotë i Ademit:

Urime FC Ballkani triumfi në Kupën e Kosovës!

Ky sezon ishte një dëshmi e organizimit të shkëlqyer dhe punës së palodhshme të të gjithëve në klubin tuaj. Ju u kurorëzuat si fitues të Kupës së Kosovës, duke e mundur Prishtinën në një finale emocionuese pas penalltive, 4:2 (2:2).

Profesionalizmi, përkushtimi dhe bashkëpunimi i secilit anëtar të klubit, nga drejtuesit, stafi teknik, deri tek lojtarët e jashtëzakonshëm, e bënë të mundur këtë sukses tuajin historik.

Një përgëzim i veçantë shkon për drejtuesit e klubit, stafin e palodhur, futbollistët dhe të gjithë qytetarët e Suharekës që për herë të parë i gëzohen trofeut të Kupës së Kosovës.

Urime FC Ballkani!

Gjithashtu, me këtë rast përgëzoj edhe futbollistët e FC Prishtina që dhuruan një paraqitje të shkëlqyeshme në këtë finale, e ku vetëm fati ua mohoi triumfin dhe daljen në Evropë.