Komuna e Malishevës e fillon dezinfektimin kundër rriqrave
Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se ka filluar dezinfektimi i zonave endemike në këtë qytet për parandalimin e “Etheve Hemorragjike Krime Kongo”.
Në njoftim thuhet se ky dezinfektim është kundër rriqrave pasi konsiderohen si bartës të virusit të EHKK.
Fillimin e kësaj fushate, e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtorët e drejtorive përkatëse, përgjegjëse për realizimin e dezinfektimit dhe zbatimit të masave parandaluese kundër EHKK.
“Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, zyrtarët përgjegjës komunal, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë Kastrati.