Osmani kërkon drejtësi për viktimat në 25-vjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën që ndodhi brenda burgut të Dubravës 25 vjet më parë.
Ajo thotë se kjo masakër shpërfaqi egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politikë, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.
“25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg”, tha Osmani.
Presidentja poashtu kërkoi drejtësi për viktimat.
“Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, ka thënë presidentja e vendit.