Hasani: Kosova humbi mundësi historike për KiE, qeveria të veprojë me shpejtësi për t’i përmbushur zotimet
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se dështimi për ta vendosur në agjendën e Komitetit të Ministrave çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është mundësi e humbur historike.
Hasani tha se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë.
“Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”.
“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash”, tha Hasani.
Tutje, ai tha se të gjithë duhet të veprojnë me shpejtësi për të përmbushur atë, që sipas tij, ia kanë borxh popullit të Kosovës.
Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka përfillur kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë që ta dërgojë në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin.