Ramabaja: Draf-statuti i tanishëm përtej “Zajednicës”, është edhe “kancer” i Kosovës
Profesori, Sadri Ramabaja, draft-statutin e tanishëm e konsideron përtej “Zajednicës”, madje e quan edhe “kancer” të Republikës së Kosovës.
Sipas Ramabajës, procesi për anëtarësimin e Kosovës në KiE është më mirë të shtyhet sesa të realizohet një autonomi politike.
“Ky draft-status tash për tash kështu siç është, është ‘Zajednicë’ e përtej ‘Zajednice’. Është autonomi politike. Është ‘kanceri’ i Republikës së Kosovës. Prandaj, unë habitem, jo te zërat opozitarë por te mediat dhe opinioni akademik që nuk e shpjegojnë qartë. Është 100 herë më mirë që ne ta shtyjmë procesin, mos të hyjmë në Këshillin e Evropës sesa të bëjmë ngjashëm sikur me çështjen e vizave”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ndërkohë, thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej që draftin e Friedrich-Ebert-Stifung (FES-it) ta përpunonin më herët, e jo të lihej në pritje në 24 orët e fundit.
“Unë kam studiuar draft-statutin e FES-it dhe kam pasur disa vërejtje në analizat e mia. Megjithatë, kthimi në atë draft-status është më i dobishëm sesa ngelja te draft-statuti që po insiston QUINT-i. Sepse, kemi të bëjmë me modele që janë aplikuar në nivel evropian. Drafti ekzistues e shndërron Kosovën gati thuajse në shtet de-funksional. Unë kam edhe një vërejtje personale. Do të duhej për Qeverinë draftin e FES-it ta përpunonin më herët dhe jo të prisnin deri tash. Ta kishin ne një variant të gatshëm… jo të prisnim në 24 orët e fundit. Kjo pritje mund t’i kushtojë Kosovës një vit. Por, më mirë një vit pritje sesa ta de-funksionalizojë Kosovën”, shtoi ai.
Kosova është deklaruar e gatshme të shkruajë një draft-statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me këtë, Kosova po kërkon të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, pavarësisht se nuk është në rend të ditës në takimet e 16 dhe 17 majit të Komitetit të Ministrave të KiE-së.