Bedri Hamza: PDK do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Hamza, në një konferencë për media tha se ky ishte propozim i tij, që është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe Kryesia e partisë, sepse votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të sjellë më shumë investime në Kosovë.
“Falënderoj Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, që kanë përkrahur qëndrimin tim të bërë publik para shumë kohësh dhe së fundmi me datën 4 prill në një studio televizive – votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisw politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, shtoi ai.