Blinken: Putini nuk po i arrin qëllimet në Ukrainë

Blinken: Putini nuk po i arrin qëllimet në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka realizuar një vizitë të papritur në Ukrainë në mes të një ofensive të re ruse.

Ai deklarimin e nisi duke u thënë ukrainasve se “ju nuk jeni vetëm”, raporton BBC.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë jush që nga dita e parë. Ne jemi me ju sot dhe do të qëndrojmë pranë jush”, pohoi ai.

“Ju i keni mohuar Putinit qëllimin kryesor – fshirjen e Ukrainës nga harta”, thotë Sekretari amerikan i Shtetit.

Ai shton se Ukraina gjithashtu ia doli të stopojë sulmin e Rusisë ndaj kryeqytetit Kievit.

“Ne do t’ia vështirësojmë punën Rusisë që t’ju godasë”, thotë Blinken, duke shtuar se “koha është thelbësore”.

Ai vë në dukje se presidenti amerikan, Joe Biden rifilloi dërgesat e municioneve në shtetin ukrainas “brenda një minute” pasi Kongresi miratoi një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh.

“Ne po e sjellim Ukrainën më afër dhe më pas në NATO”, pohoi zyrtari amerikan dhe shtoi se “ne do të sigurohemi që ura e Ukrainës me NATO-n të jetë e fortë”.

Ndryshe, SHBA-të janë ndër vendet kryesore që e ndihmojnë Ukrainën, e cila është pushtuar nga Rusia që nga 24 shkurti i vitit 2022.