Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut

Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut

Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj. Ajo iu referua Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër gjatë ceremonisë.

Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.

Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.

Davkova u betua se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit, sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Për protestën e diplomates greke kanë njoftuar edhe mediat greke.

“Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidou, e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Silijanovska, u largua në shenjë proteste për shkak se gjatë betimit ka shkelur Marrëveshjen e Prespës”, shkroi gazeta greke Prototema.

“Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova.

Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”. /Rel