Hoti thotë Kurti me VV-në e Guxo-n kanë cenuar demokracinë parlamentare
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se mazhoranca bashkë me qeverinë kanë cenuar demokracinë parlamentare.
Ai këtë e ka bazuar në të gjeturat e raportit të IKD-së, të cilat ai i quan shqetësuese.
“Kryeministri Kurti po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, por sjellja e tij bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Të gjeturat e IKD-së nga monitorimi i Kuvendit të Kosovës janë shqetësuese për rendin demokratik: mungesë transparence në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendime kundërkushtetuese e kundërligjore, moszbatim i rregullores së punës, Kuvendit iu ka pamundësuar të kërkojë llogari nga Qeveria, mazhoranca ka pamundësuar kuorumin dhe i ka dështuat seancat dhe komisionet hetimore, qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe nuk ka marrë pjesë në seanca të jashtëzakonshme”.
Ai thotë se edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, kuvendi ka funksionuar më mirë, ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore.
“Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për të gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit në Kosovës”, shkruan Hoti duke listuar gjetjen e raportit.