Karta Rinore Evropiane që ofron mbi 60 mijë zbritje në Evropë prej tash në Kosova
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se çdo i ri dhe e re, nga mosha 15 vjeçare deri në moshën 29 vjeçare nga sot mund të pajiset me Kartën Rinore Evropiane në Platformën shtetërore Kosova.
Kurti tha se si partner institucional i Këshillit të Evropës që nga viti 1991, Karta ofron mbi 60 mijë zbritje dhe përfitime të menjëhershme në Evropë, dhe shumë shpejt, sipas tij, ajo do të popullohet edhe me përfitimet brenda Kosovës.
“Me liberalizimin e vizave, dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar dhe mijëra bursa studimore vjetore, duam që t’i shohim të rinjtë tanë duke i ndjekur ëndrrat, parë botën dhe duke na bërë krenarë si përherë. Duam që të mbyllet hendeku mes talentit të tyre dhe mundësive krahas bashkëmoshatarëve në botë. Sepse në fushë loje të barabartë, janë dëshmuar rezultatet e rinisë sonë”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se me këtë kartë, Kosova po i bashkohet 30 vendeve anëtare, por sipas tij, Kosova po bëhet e para që e ofron këtë kartë në formën digjitale dhe automatike, koston e të cilës për çdo të ri do ta mbulojë ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.