Kosova inauguron Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Poloni

Kosova inauguron Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Poloni

“Polonia si një shtet mik, ka një potencial të madh të bashkëpunimit ekonomik në eksport dhe import, shkëmbim të studentëve, ekspertëve, përvojave në proceset integruese dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila falënderoi Poloninë për mbështetjen e dhënë ndër vite për Kosovën.
Ajo vëri në pah rolin e madh të dy figurave të rëndësishme polake, ish-kryeministrit Mazowietzky dhe Papa Gjon Palit II për përkrahjen e tyre në ditët e vështira të okupimit serb.
Ministrja Gërvalla falënderoi Poloninë edhe për mbështetjen e saj të madhe për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Me një ceremoni zyrtare, me pjesëmarrje edhe të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Nënsekretares së Shtetit të Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Ministres Moscicki-Dendys si dhe Anëtarëve të Kuvendit (Sejmit) të Polonisë, ambasadorëve të akredituar në Poloni, përfshirë Nuncin Apostolik (Vatikani) shteteve të Kuintit dhe shteteve tjera nga Evropa dhe rajoni, është hapur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Varshavë të Polonisë, e udhëhequr nga Ambasadori, Drilon S. Gashi, i cili i uroi mirëseardhje të ftuarve dhe e përshkroi Poloninë si “mik të mirë në kohë të vështira.”
Nga ana tjetër, Nënsekretarja e Shtetit të Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Ministrja Moscicki-Dendys përgëzoi Republikën e Kosovës për ceremoninë dhe shprehu vullnetin dhe përkushtimin e Polonisë për të intensifikuar marrëdhëniet bilaterale në fushat me interes të përbashkët.
Ajo tutje tha se krijimi i Misionit të Kosovës paraqet një gurthemel të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis Polonisë dhe Kosovës.
Ministrja polake vlerësoi lart ndihmën e Kosovës për Ukrainën dhe orientimin e saj të qartë perëndimor, duke ofruar mbështetjen polake në shumë fusha e sidomos në shtimin e lidhjeve ekonomike, kulturore dhe ndihmën në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe integrimin në BE.
Në ceremoni morën pjesë edhe profesionistë, profesorë, gazetarë, udhëheqës dhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-polak dhe të Kosovës në Poloni.