Trepça dhe Ylli fillojnë sot garën për titull
Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ballafaqohen sot në finale të playoff-it në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në palestrën “Minatori”, duke nisur nga ora 19:00.
Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione, derisa mund të zhvillohen deri në pesë sfida.
Mitrovicasit përfunduan edicionin e rregullt në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me 19 fitore e nëntë humbje.
Nga tri humbjet ‘Xehetarët’, dy kanë ardhur nga therandasit në garat e rregullta.
Këto dy skuadra ishin takuar në finale të Ligës Unike, që përfundoi me fitoren e mitrovicasve në një sfidë dramatike 66:67.
Trepça ka fituar Kupën dhe Superkupën dhe është në kërkim të trofeut të katërt për këtë edicion.
Në anën tjetër, therandasit duan ta rikthejnë titullin në qytetin e tyre dhe ta fitojnë atë për herë të tretë në histori.
Orari i Finaleve
9 Maj
19:00 Trepça – Golden Eagle Ylli
12 Maj
19:00 Golden Eagle Ylli – Trepça
16 Maj
19:00 Trepça – Golden Eagle Ylli
19 Maj
19:00 Golden Eagle Ylli – Trepça (e mundshme)
23 Maj
19:00 Trepça – Golden Eagle Ylli (e mundshme)