Kurti u bën thirrje bizneseve që të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë
Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka bërë bashkë krerë të shtetit, institucioneve e përfaqësues të bizneseve. Me këtë rast u theksua nevoja për bashkëpunim mes sektorit privat dhe atij publik.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është një ekonomi demokratike e qëndrueshme.
“Një dialog i fuqishëm publiko-privat forcon besimin mes sektorit privat dhe publik. Besimi është armatura në themelin tonë ekonomik. Me të mund të ndërtojmë gjëra të mëdha, pa të edhe planet më të mira dështojnë. Imagjinoni mundësitë kur bashkojmë pikat tona të forta dhe i ndajmë në vizion të përbashkët. Ne duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe të konkurrueshëm”, tha kryeministri Kurti.
Ai u ka bërë thirrje bizneseve më konkurruese e shoqatave të bizneseve që të vazhdojnë të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me qeverinë.
“Së bashku mund të zhvillojmë plane që rrisin investimet e huaja direkte. Ne kemi identifikuar mbi 6 miliardë euro nevoja për investime në infrastrukturë të re apo edhe për të plotësuar atë aktuale. Ndërkohë ne jemi duke u përgatitur në një ankand për energji të erës. Me kalimin e kohës ne do të bashkërendisim dialogun në mënyrë që qeveria dhe sektori privat të kenë qartësi se si të përmirësojnë të bërit biznes. Kur punojmë së bashku ne krijojmë një ekip të fuqishëm”, tha kryeministri Kurti.