Hernandez nuk do të luajë në Euro 2024
Përfaqësuesi francez Lucas Hernandez është lënduar gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes PSG-së dhe Borussia Dortmundit.
Siç njoftohet në faqen zyrtare të parisienëve, Hernandez ka pësuar një këputje të ligamenteve të kryqëzuara të përparme të gjurit të majtë.
Mbrojtësi me përvojë i është nënshtruar sot një rezonance, e cila ka konfirmuar diagnozën e bërë nga mjekët e klubit mbrëmjen e së mërkurës.
Ai pritet t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim, gjë që do ta mbajë jashtë për gjashtë apo shtatë muajt e ardhshëm.
Për Hernandez ka përfunduar sezoni dhe për shkak të këtij dëmtimi do të mungojë në Kampionatin Evropian që do të luhet verën e ardhshme në Gjermani.
Franca nuk është se ka mungesë të qendërmbrojtësve, pasi që ka shumë emra të njohur në gjirin e saj.