Lista me 26 lojtarë, zbulohet arsyeja pse trajneri Silvinjo është kundër shtimit të numrit
Çuditshëm u prit nga opinioni sportiv fakti se Silvinjo, trajneri i Kombëtares shqiptare, ishte kundër zgjerimit të listës së Europianit, në mbledhjen që u mbajt në fillim të muajit prill nga UEFA në Dyseldorf të Gjermanisë, me të gjithë trajnerët.
Diskutimi ishte i qartë, disa trajnerë të kombëtareve pjesëmarrëse ngritën tezën për të kaluar nga 23 lojtarë në 26 të përfshirë në listën përfundimtare për Europianin.
Një zgjerim i listës patjetër që do t’i jepte më shumë alternativa Silvinjos dhe lehtësim në zgjedhjet që do të bënte, por nga ana tjetër do t’i shtonte “dhimbjet e kokës”.
Në ç’kuptim? Nga ana teknike, është tepër e vështirë për një trajner që të zhvillojë një stërvitje me 26 lojtarë, teksa për taktikën që ai do të punojë, mjaftojnë vetëm 22 futbollistë. Në bashkëbisedimin me disa gazetarë gjatë aktivitetit që FSHF-ja organizoi dje në “Air Albania”, Silvinjo zbuloi edhe pse mbante këtë qëndrim, i cili sipas tij i jep të drejtë.
“Nuk është e lehtë për trajnerin që gjatë një seance stërvitore, të lërë jashtë katër futbollistë dhe t’u komunikojë se duhet të punojnë të veçuar, ose të shohin shokët e skuadrës që përfshihen në taktikën që ai do të përgatisë”, shprehet trajneri.
Normalisht që do të lindin pakënaqësi dhe për këtë Silvinjo është i bindur se diçka e tillë duhet shmangur. Gjithsesi, UEFA pritet të dalë me një vendim javët që vjen në lidhje me çështjen e zgjerimit të listës.
EUROPIANI- Pas dy sfidave miqësore me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin, në muajin qershor Shqipëria do të nisë edhe rrugëtimin në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024”. Më datë 15 qershor kuqezinjtë do të luajnë takimin e parë kundër Italisë, në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë, duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë kundër Spanjës më datë 24 qershor, në stadiumin “Dusseldorf Arena”, në orën 21:00. /BW