Perez shpreh drojën se Hungaria mund të votojë kundër Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare

Perez shpreh drojën se Hungaria mund të votojë kundër Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare

Në dritën e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe Këshillin e Evropës (KiE), njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Alejandro Esteso Perez, shpreh drojën se Hungaria mund ta miratojë njëfarë qëndrimi konsistent dhe të votojë kundër Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare.

Përderisa Hungaria e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo nuk ofron të njëjtin nivel të mbështetjes politike sikurse vendet e tjera që e njohin shtetin e vogël ballkanik. E përveç pesëshes së BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – që refuzojnë ta njohin Kosovës, shteti hungarez nën kryeministrin Viktor Orban mban qëndrimin më të ashpër karshi Kosovës.

“Në kohën kur Kosova angazhohet në dy procese paralele për t’u anëtarësuar në BE dhe KiE, në dritën e zotimit të ministrit hungarez Peter Szijjárto ndaj Serbisë në janar 2023, duhet të merret parasysh mundësia që Hungaria të mund të miratojë një qëndrim konsistent dhe të votojë në mënyrë të përsëritur kundër së ardhmes evropiane të Kosovës”, theksoi Perez.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje. E sa i përket anëtarësimit në KiE, ndonëse u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së, kundër Kosovës votuan katër hungarezë, përfshirë ata nga radhët e “Fidesz” në pushtet.