Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal

Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal

Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një intervistë me DW, ai shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën aktuale drejt këtij anëtarësimi.

Në ndërkohë, duke folur për të drejtat e pakicës serbe dhe Asociacionin, ai “i bën me faj” paraardhësit e tij, kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë.

“Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka theksuar Kurti.