Macron: Evropa është e vdekshme, i duhet mbrojtje më e fortë

Macron: Evropa është e vdekshme, i duhet mbrojtje më e fortë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se Evropa po përballet me një kërcënim ekzistencial nga agresioni rus, duke bërë thirrje që kontinenti të miratojë një strategji “të besueshme” të mbrojtjes dhe të varet më pak nga Shtetet e Bashkuara.

Ai e përshkroi sjelljen e Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, si “të papërmbajtshme” dhe tha se më nuk është e qartë se ku janë “kufijtë” e Moskës.

Macron po ashtu ngriti alarmin për atë që e përshkroi si mosrespektim të rregullave ndërkombëtare të tregtisë nga SHBA-ja dhe Kina, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të rishikojë politikën e tij tregtare, raporton Rel.

“Evropa jonë sot është e vdekshme dhe mund të vdesë”, tha ai.

“Mund të vdesë dhe kjo varet nga zgjedhjet tona”, tha Macron, duke paralajmëruar se Evropa nuk është “e armatosur kundër rreziqeve me të cilat ne përballemi” në botë ku “rregullat e lojës kanë ndryshuar”.

“Gjatë dekadës së ardhshme… rreziku do të jetë i madh që Evropa të dobësohet”, shtoi ai, duke theksuar edhe rrezikun që vjen nga Irani, nëse shteti siguron armë bërthamore.