Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se investimet në QKUK po bëhen për shkaqe elektorale. Ai vlerëson se gjendja nëpër spitale vazhdon të jetë e rëndë dhe se investimet në shëndetësi kanë qenë minimale.

Haxhiu për Ekonomia Online ka deklaruar se para zgjedhjeve po bëhen investime të tilla por që sipas tij nuk e përmirësojnë gjendjen nëpër spitale.

Pikëpyetja e pacientëve sipas deputetit të PDK-së janë listat e pritjes për analiza e operacione.

“Siç e dini në tri buxhetet të cilat janë miratuar ka pas planifikime për investime në sektorin e shëndetësisë. Shumica e këtij buxheti ka shkuar në suficit, investimet në sektorin e shëndetësisë kanë qenë minimale. Tash para zgjedhjeve kanë filluar diçka me disa renovime të cilat nuk janë se përmirësojnë kushtet më të mira për operacione për të reduktuar numrin e pritjes së pacientëve. Ne kemi probleme substanciale në menaxhim. Pas gjithë këtyre investimeve, pyetja kryesore që e bëjnë pacientet a ka më i ra me prit prapë tri vjet për një operacion në listë të pritjes. Sa ka me prit për analiza? Sa ka me prit për procedura diagnostikuese?”, u shpreh Haxhiu.

Deputeti i PDK-së shprehet i zhgënjyer edhe për listat e gjata të pritjes nëpër klinika, teksa përmend raste kur pacientët vdesin derisa t’u vijë radha për koronografi.

“Siç e dini në Kardiologji, listat e pritjes ndonëse ka pasur investime prapë vazhdojnë të jenë të gjata, prapë listat e pritjes vazhdojnë të jenë të gjata edhe në klinika tjera, kështu nuk ka përmirësim të ofrimit të shërbimit shëndetësor tek pacientët. Në Kardiologji kemi pas raste që pacientet të cilët kanë qenë në listë të pritjes kanë vdekur pa mundur me realizu një koronarografi. Kur stafi i klinikës i ka thirr familjarët, me mllef janë përgjigjur pas një viti e gjysmë se pacienti ka ndërruar jetë dhe këto janë brenga të mëdha në sistemin tonë shëndetësor”, u shpreh tutje Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se investimet janë “kozmetikë” dhe se nuk e përmirësojnë gjendjen në shëndetësi. Ai ka thënë se ekzekutivi ka dështuar ta sjellë në Kuvend Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

“Kjo krejt çka po bëhet po bëhet një lloj kozmetike e cila nuk ka efekt në përmirësimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë po vazhdohet me këso lloj investimesh elektorale derisa për tri vite qeveria nuk ka qenë në gjendje të miratojë strategjinë e shëndetësisë dhe nuk ka qenë në gjendje t’i sjellë në kuvend dy ligjet bazike, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore”, ka thënë Haxhiu.