Osmani: Në draftin e Asociacionit ka gjëra që mund të keqpërdoren, Kushtetuesja duhet t’i mënjanojë ato
Presidentja e Kosovës ,Vjosa Osmani, tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.
Osmani tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.
“Plani natyrisht është i qartë. Duhet të përfundojë marrëveshja e sekuencimit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë. Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.