Filloristë të komunitetit turk vizituan Kuvendin me rastin e Ditës së turqve

Filloristë të komunitetit turk vizituan Kuvendin me rastin e Ditës së turqve

Me rastin e Ditës së turqve, nën organizimin e kryetarit të Grupit Multietnik, Enis Kervan dhe deputetes Fidan Jilta, një grup prej 150 filloristësh të komunitetit turk në Kosovë vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast nënkryetarja Bogujevci uroi nxënësit e komunitetit turk dhe përfaqësuesit për festën e tyre, duke i falënderuar për angazhimin e vazhdueshëm në kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Gjithashtu Bogujevci vlerësoi lart rolin e komunitetit turk në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit tonë dhe Turqisë, si dhe përkrahjen e parezervë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke theksuar se ndjehet e nderuar se Republika e Kosovës është shembull në rajon e më gjerë i garantimit dhe zbatimit të të drejtave të komuniteteve, për çfarë, sipas saj, është punuar fort bashkarisht.

Gjithashtu, deputeti Enis Kervan, falënderoi nxënësit për vizitën e tyre, duke uruar për Ditën qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë. Kervan vlerësoi lart punën e institucioneve shtetërore në Kosovë, me theks të Kuvendit të Kosovës, lidhur me të drejtat e komuniteteve.

Deputetja Fidan Jilta duke shpreh mirënjohjen për përkushtimin dhe angazhimin e pandërprerë të komunitetit turk, theksoi se në këtë ditë të veçantë, duhet përmendur kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit turk në shoqërinë tonë.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, para filloristëve theksoi se falënderimi shkon drejt tyre, për punën e palodhur dhe për përkushtimin ndaj kulturës dhe historisë së komunitetit turk në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite filloristët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.