Franca: Duhet të organizohen shpejt zgjedhje në veri të Kosovës
Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka thënë të hënën se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe.
“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”.
Ai i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Deklarata e tij vjen një ditë pas mbajtjes së një votimi në katër komunat në veri të Kosovës, për të larguar apo jo kryetarët atje.