Nisin punimet për zgjerimin e rrugës Kijevë – Dollc, Kurti: I kemi shpëtuar 150 milionë euro
Sot kanë nisur punimet për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë-Dollc.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukrurës, Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durmishi.
Me këtë rast, Kurti deklaroi se kostoja e zgjerimit të rrugës për 11 kilometra është rreth 21 milionë euro.
“Gati 11 kilometra, për ma pak se 21 milionë euro, po i inaugurojmë sot. Unë e falënderoj shumë ministrin Aliu dhe zëvendësin e tij Durimishi, si dhe kompaninë që po i bën këto punë e gjithashtu edhe kompanisë që po i mbikëqyr këto punime”, deklaroi Kurti.
I pari i Qeverisë shtoi se është arritur që të shpëtohet 150 milionë euro në këtë projekt.
“Duhet ta mbajmë mend atë që e tha zëvendësminstri Durimishi. Nga 240 milionë euro sa ka pasur të kushtojë kjo rrugë, do të kushtojë 90 milionë euro. Pra, 150 milionë euro do të zhdukeshin nga buxheti pa nevojë, do të përfundonin në xhepa privat. Mirëpo tash nuk mbuxhen xhepat privat, mbushet arka e shtetit dhe ka shumë planifikim e përgatitje. Çka kanë bërë ata më herët? Ata fillonin punimet dhe pastaj prona e pa shpronësuar u dilte në rrugë dhe shkonin në stratosferë çmimet e tokave, por kjo nuk bëhej pa paramendim për përfitimet vetjake. Nga 240 milionë euro nga 90 milionë euro, a e dini çka do të thotë kjo?”, tha Kurti.
Kompanitë fituese janë përzgjedhur nga Ministria para gati 1 muaji.