Gruaja sjell të vdekurin në bankë për të nënshkruar kredinë, punonjësja e pyet: Pse është kaq i zbehtë?
Në pamje shihen momentet e pazakonta kur një grua sjell në bankë me karrige me rrota një kufomë, për nënshkrimin e nje huaje, duke mbajtur kokën e tij ngritur, teksa stafi i shokuar e pyet se “përse është kaq i zbehtë”.
Në një moment ajo dëgjohet që i thotë: “Xhaxha më dëgjon? Duhet të firmosësh, se unë nuk mund të firmos në vendin tënd.”
Pamjet shokuese tregojnë gruan që tenton të kalojë të vdekurin si njeri të gjallë në bankën e Bangu, në periferi të Rio de Janeiro, në Brazil.
Punonjësja e shokuar e bankës në një moment thotë: “Më duket se kjo nuk është e ligjshme. Ai nuk më duket mirë, është shumë i zbehtë”.
Por gruaja i përgjigjet: “Po kështu është ai”, dhe më pas i flet të vdekurit: “Nëse nuk ndjehesh mirë të çoj në spital, dëshiron të shkosh përsëri në spital?”
Pamjet tregojnë kokën e burrit që lëkundet para e prapa, para se gruaja ta mbajë nga prapa qafës.
Zyrtarët që erdhën në vendngjarje konfirmuan se pensionisti Paulo Roberto Braga, 68 vjeç, kishte vdekur disa orë më herët.
Gruaja që e soli në bankë Erika de Souza Vieira Nunes, u arrestua dhe tha në polici se ishte kujdestarja e tij.