Hasani i Shqipërisë viziton Thaçin në Hagë: Mbresëlënëse qetësia e tij
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, e ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hasani tha se Thaçin e gjeti në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të triumfojë.
“Ishte mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri, qetësia dhe vizioni që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me përpjeta e tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”.
“I përcolla Thaçit urimet më të mira nga drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë si dhe sigurinë që ashtu si më parë, mbështetja jonë s’do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë”, tha Hasani.
Më tej, Hasani tha se Thaçin e ka informuar edhe për zhvillimet e fundit në vend por edhe në rajon si dhe për përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin.
“Diplomacia shqiptare ashtu si edhe më parë do të ngul këmbë në zbatimin e standardeve për një proces të hapur dhe transparent në respektim të plotë të të drejtave të njeriut bazuar në konventat ndërkombëtare”, tha ai.