Shqipëri, qyteti antik i Bylisit, investimet në infrastrukturë rrisin numrin e vizitorëve në park

Shqipëri, qyteti antik i Bylisit, investimet në infrastrukturë rrisin numrin e vizitorëve në park

Qyteti antik i Bylisit është një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit kulturor në qarkun e Fierit të Shqipërisë. Të shumtë kanë qenë vizitorët, veçanërisht turistët e huaj, të cilët e kanë frekuentuar parkun arkeologjik në këtë periudhë të vitit.

Ciceroni i Parkut, Nexhmi Sulaj na tregon se përmirësimi i infrastrukturës rrugore e ka rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve, më së shumti nga Evropa Perëndimore.

Brenda qytetit antik ka shtigje interesante ku njëri prej tyre të çon në drejtim të një mbishkrimi në shkëmb, i cili flet për një vend ende të pazbuluar nga historianët dhe arkeologët.

Sipas përgjegjësit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, Ardit Shehu, ndërtimi i rrugës së re ka lehtësuar lëvizjen e vizitorëve. Po ashtu në zonë është zhvilluar edhe agroturizmi, i cili mundëson edhe qëndrimin e vizitorëve.

Në tre muajt e parë të 2024 qyteti antik ilir i Bylisit ka njohur një rritje të vizitorëve të huaj, të cilët largohen me përshtypje mjaft të mira thonë specialistët e parkut./A2CNN/