Sigal Prishtina triumfon për herë të tretë në Ligën Ballkanike

Sigal Prishtina triumfon për herë të tretë në Ligën Ballkanike

Sigal Prishtina është kampione e Ligës Ballkanike. Në një finale dramatike, kanë mundur PAYBL AEL Limassol me rezultat 72:67 (16:12, 14:25, 21:10, 21:20).

Bardhekaltrit triumfuan ndaj skuadrës qipriote që kishte përkrahjen nga tifozët vendas, por kjo nuk i ndali prishtinasit, që të luftojnë deri në fund dhe për herë të tretë në histori të fitojnë këtë garë.

Më herët e kishin fituar më 2015 dhe 2016.

Sa i përket finales, bardhekaltrit e nisën ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 16:12, derisa periudha e dytë foli në të mirë të qipriotëve 14:25.

Prishtinasit u rikthyen furishëm në pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, që e fituan 21:10, derisa në dhjetëminutat e fundit e ruajtën epërsinë dhe triumfuan me pesë pikë dallim, 72:67.

Shaheed Davis shënoi 16 pikë për kryeqytetasit, Malcolm Armstead dhe Donte Clark shënuan nga 15, kurse 14 shtoi Diamond Stone.

Shaheed Davis është shpallur MVP i Final 4.

Peja është renditur e treta në këtë garë.