Llapi bëhet lider në Superligë

Llapi bëhet lider në Superligë

Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll tanimë ka një lider të ri. Pas fitores së sotme ndaj Lirisë në shtëpi, me rezultat bindës 3:0 dhe barazimit të djeshëm të Ballkanit ndaj Prishtinës, Llapi ka marrë pozitën e parë, me 54 pikë, një më shumë se sa kampioni në fuqi.

Golat për Llapin i shënuan Leotrim Bekteshi (5’), Adem Maliqi (17’) dhe Muhamet Hyseni (66’). Fitore në shtëpi, por me mjaft vështirësi arriti edhe Feronikeli ’74, që në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi” e mposhti Fushë Kosovën, me rezultat 1:0.
Golin e fitores për skuadrën e drejtuar nga Shefki Kuqi e realizoi Ibrahim Cërvadiku, në minutën e 8-të. Pas kësaj fitoreje Feronikeli 74 ngjitet në pozitën e shtatë, me 29 pikë, derisa Fushë Kosova mbetet e parafundit me 20 pikë.

Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit nuk ka prodhuar fitues, duke u mbyllur baras 1:1. Elton Cale kaloi Gjilanin në epërsi pas një çereku lojë, derisa një pikë skuadrës nga Klina ia siguroi Atlin Mërlakun, me golin e shënuar në minutën e 54-t.

Pas kësaj barazimi Gjilani bie në vendin e tetë, me 27 pikë, derisa Dukagjini mban pozitën e gjashtë me 35 pikë.